Salvia officinalis: Sherebela. Familja: Labiatae.
Ky material është
shkëputur nga Libri ''Bimët Mjekësore dhe Shëndeti''.
Të
gjitha të drejtat i takojnë firmës Arbëria
Nuk
mund të riprodhohet pa Autorizimin e stafit tonë!
Ilustrim i detajuar i kërcellit, gjetheve, luleve dhe fryteve të sherebelës Viti 1900.
Vetitë dhe mënyrat e përdorimit.
Sherebela është një kaçube e vogël,
0.4-1.2 m.
e lartë, gjithmonë e gjelbër, shumëdegëshe dhe me kërcell katërqoshesh në
bazë. Në Shqipëri rritet me shumicë në shpate gëlqerore kodrash e malesh, që
nga Delvina deri në Mbishkodër, duke përballuar më së miri thatësirën. Në kohën
e lulëzimit, në lulet e sherbelës bëhet një panair i mrekullueshëm nektari për
bletët, sidomos nëse para ose gjatë lulëzimit bie ndonjë shi.
Pjesë të përdorshme: Gjethet dhe nektari i luleve. Në maj-qeshor, në ditë me diell, duke filluar
para lulëzimit, është koha më e mirë për të mbledhur gjethet e sherbelës, të
cilat këputen bashkë me majat e degëve, të mbuluara me gjethe të mëdha e të
vogla.
Mund të bëhet edhe një mbledhje në vjeshtë, por
nuk është mirë të punohet në të njëjtën hapësirë të shfrytëzuar në pranverë,
sidomos kur vera është e thatë.
Cilësitë kryesore vepruese: Stomatologjike, antihidrotike,
kolagoge, dermike, adstringjente, antiseptike, sedative (e sistemit nervor qendror) antioksidante, karminative,
antispazmodike, antibiotike, tonike, diuretike, antisudorifike, kardiotonike,
dekongjestionante, etj.
Qëllimi i përdorimit:
Thuhet se përdorimi i sherebelës
sjell në familje mirëqenie. Mbase jo më kot quhet bimë shpëtimtare. Sipas një
legjende pa origjinë të saktë, përdorimi i sherbelës të bën të pavdekshëm.
Përdoret:
- si tonik i përgjithshëm. (Në lashtësi është besuar se një majë
degëgjethe sherbeli e konsumuar çdo ditë
në maj, të bën të pavdekshëm);
- për të qetësuar sistemin nervor qendror;
- për të pakësuar
ankthin;
- për të stimuluar tretjen;
- për të lehtësuar probleme të
tretjes;
- për të përmirësuar periudhat menstruale.
- ndihmon gratë në menopauzë që të mos djersijnë gjatë
natës, në gjum. (Për këtë
qëllim pihet një çaj i ftohtë në darkë, para gjumit).
- për të pakësuar qumështin në gratë me fëmijë në gji;
- për të qetësuar kollën në ftohje
dhe në gjendje gripi;
- për të qetësuar irritimin në
fyt;
- për të shtuar fluksin e tëmthit;
- për të forcuar kujtesën;
- e favorshme për diabetikët me
përqindje të lartë sheqeri që nuk përdorin insulinë;
- për të mjekuar mishin e dhëmbëve
që rrjedhin gjak;
- për të mjekuar aftën;
- për të mjekuar erën e keqe të
gojës;
- për të zbardhur dhëmbët, (e bërë
pluhur dhe e bashkuar me pastën e dhëmbëve);
- për të shplarë (në formë çaji) e mjekuar plagë të reja e të vjetra, (në formë infuzi vajor, pomade ose pluhuri);
- për të shplarë kokën përdoret në
formë infuzi, për të penguar rënien e
flokëve dhe për të errësuar ngjyrën e tyre;
- gjethet e freskëta të shtypura e
të vendosura mbi lëkurën e dëmtuar lehtësojnë dhimbjet nga pickimi i insekteve.
Përdoret gjerësisht edhe në kuzhinë dhe në industrinë
ushqimore.
Mënyra e përdorimit:
Përdoren gjethet, të freskëta, ose të thara:
- Në formë infuzioni: (7-10 gr. gjethe të thara, ose
30-50 gr. gjethe të njoma, në 500 ml. ujë).
Përgatitja: Marrim 3-4 lugë kafeje me
gjethe të thara, të grimcuara (nëse janë
të njoma duhen dyfish më shumë, prandaj, nëse keni mundësi përdorni mënyrën me
peshim) dhe i përziejmë mirë me gjysmë litri ujë të nxehtë pa klor, në një
enë qelqi ose porcelani. E mbulojmë enën dhe e lëmë në qetësi 15-20 minuta,
pastaj e kullojmë lëngun dhe pimë një fixhan çaji, tre herë në ditë, të
ëmbëlsuar me mjalt, ose me sheqer.
Të njëjtin infuz, por pa sheqer,
mund ta përdorim edhe për shplarjen e flokëve, ose të plagëve.
- Në formë tinkture 20%, në alkool 70 gradë, marrim 5-15 ml. në ditë.
- Pesë gram pluhur i përfituar nga
thërmimi i gjetheve, i përzier me tre lugë gjelle mjalt natyral, përbëjnë një ekspektorant
shumë të mirë. Përdoret një lugë gjelle në mëngjes dhe në mbrëmje.
- Për të hequr lodhjen dhe
ndjenjën e stresit dhe të presionit nga bota e jashtme, bëhet një banjë në
vaskë, në ujin e së cilës hedhim paraprakisht 4-5 duar gjethe sherbeli.
- Kundër kollës më rebele dhe
kundër katarrit të
rrugëve të frymëmarrjes përdorim këtë përgatesë: marrim 100 gr. gjethe
sherbeli, 100 gr. sheqer dhe gjysmë litër verë të bardhë rrushi, i hedhim në
një enë inoksi ose porcelani dhe i ziejmë për 20 minuta. Pasi përfundon zierja
e kullojmë dhe lëngu mjekues është gati për përdorim. Pimë nga një lugë kafeje
çdo 2-3 orë.
- Nëse fërkojmë dhëmbët me gjethe të freskëta
sherebele, kanë shumë përfitim, si për zbardhje edhe për forcim.
- Kundër djersitjes në gjumë,
përdoret çdo mbrëmje infuzi i përgatitur me një lugë gjelle gjethe sherebele në
150 ml. ujë të valuar. Pihet i ftohtë para fjetjes.
- I
njëjti infuz (në këtë rast pihet i nxehtë) shërben për të kuruar edhe çdo
sëmundje të gjoksit (ftohje, etj.).
Kujdes!
- ka njerëz që janë alergjikë ndaj
sherbelës dhe duhet ta evitojnë atë;
- ata që vuajnë nga epilepsia nuk duhet as të kenë kontakt dhe as të
përdorin preparate të sherbelës;
- gratë shtatzëna nuk duhet të përdorin
sherbel në asnjë rast;
- nënat me fëmijë në gji duhet të kenë parasysh që përdorimi i
sherbelit ul prodhimin e qumështit;
- përdorimi i brendshëm i vajit esencial të
sherbelës nuk duhet të bëhet pa këshillën e mjekut.
- I përdorur në dozat e
rekomanduara, sherebela nuk krijon
problem nëse merret njëkohësisht me preparate farmaceutike që u nevojiten
njerëzve për probleme të ndryshme
shëndetësore.
Bimën dhe vajin esencial të sherebelës i gjeni në dyqanin Bimë Mjekësore, prodhuar nga firma ''Arbëria''.
Ju mirëpresim vetëm 30 metra mbi Qendrën
Stefan (tek pazari i ri), përballë me Eurodenta.