Friday, January 27, 2017

Sherebela - Salvia officinalis

Salvia officinalis: Sherebela. Familja: Labiatae.


Ky material është shkëputur nga Libri ''Bimët Mjekësore dhe Shëndeti''.

Të gjitha të drejtat i takojnë firmës  Arbëria

Nuk mund të riprodhohet pa Autorizimin e stafit tonë!

Ilustrim i detajuar i kërcellit, gjetheve, luleve dhe fryteve të sherebelës Viti 1900.

Vetitë dhe mënyrat e përdorimit.

Sherebela është një kaçube e vogël, 0.4-1.2 m. e lartë, gjithmonë e gjelbër, shumëdegëshe dhe me kërcell katërqoshesh në bazë. Në Shqipëri rritet me shumicë në shpate gëlqerore kodrash e malesh, që nga Delvina deri në Mbishkodër, duke përballuar më së miri thatësirën. Në kohën e lulëzimit, në lulet e sherbelës bëhet një panair i mrekullueshëm nektari për bletët, sidomos nëse para ose gjatë lulëzimit bie ndonjë shi.

Pjesë të përdorshme: Gjethet dhe nektari i luleve.  Në maj-qeshor, në ditë me diell, duke filluar para lulëzimit, është koha më e mirë për të mbledhur gjethet e sherbelës, të cilat këputen bashkë me majat e degëve, të mbuluara me gjethe të mëdha e të vogla.
Mund  të bëhet edhe një mbledhje në vjeshtë, por nuk është mirë të punohet në të njëjtën hapësirë të shfrytëzuar në pranverë, sidomos kur vera është  e thatë.

Cilësitë kryesore vepruese: Stomatologjike, antihidrotike, kolagoge, dermike, adstringjente, antiseptike, sedative (e sistemit nervor qendror) antioksidante, karminative, antispazmodike, antibiotike, tonike, diuretike, antisudorifike, kardiotonike, dekongjestionante, etj.

Qëllimi i përdorimit:

Thuhet se përdorimi i sherebelës sjell në familje mirëqenie. Mbase jo më kot quhet bimë shpëtimtare. Sipas një legjende pa origjinë të saktë, përdorimi i sherbelës të bën të pavdekshëm.

Përdoret:
- si tonik i përgjithshëm. (Në lashtësi është besuar se një majë degëgjethe  sherbeli e konsumuar çdo ditë në maj, të bën të pavdekshëm);
            - për të qetësuar sistemin nervor qendror;
           - për të pakësuar ankthin;
- për të stimuluar tretjen;
- për të lehtësuar probleme të tretjes;
- për të përmirësuar periudhat menstruale.
- ndihmon gratë në menopauzë që të mos djersijnë gjatë natës, në gjum. (Për këtë qëllim pihet një çaj i ftohtë në darkë, para gjumit).
- për të pakësuar qumështin në gratë me fëmijë në gji;
- për të qetësuar kollën në ftohje dhe në gjendje gripi;
- për të qetësuar irritimin në fyt;
- për të shtuar fluksin e tëmthit;
- për të forcuar kujtesën;
- e favorshme për diabetikët me përqindje të lartë sheqeri që nuk përdorin insulinë;
- për të mjekuar mishin e dhëmbëve që rrjedhin gjak;
- për të mjekuar aftën;
- për të mjekuar erën e keqe të gojës;
- për të zbardhur dhëmbët, (e bërë pluhur dhe e bashkuar me pastën e dhëmbëve);
- për të shplarë (në formë çaji) e mjekuar plagë të reja e të vjetra, (në formë infuzi vajor, pomade ose pluhuri);
- për të shplarë kokën përdoret në formë infuzi, për të penguar rënien e flokëve dhe për të errësuar ngjyrën e tyre;
- gjethet e freskëta të shtypura e të vendosura mbi lëkurën e dëmtuar lehtësojnë dhimbjet nga pickimi i insekteve.

Përdoret gjerësisht edhe në kuzhinë dhe në industrinë ushqimore.

Mënyra e përdorimit:

Përdoren gjethet,  të freskëta, ose të thara:

- Në formë infuzioni: (7-10 gr. gjethe të thara, ose 30-50 gr. gjethe të njoma, në 500 ml. ujë).

Përgatitja: Marrim 3-4 lugë kafeje me gjethe të thara, të grimcuara (nëse janë të njoma duhen dyfish më shumë, prandaj, nëse keni mundësi përdorni mënyrën me peshim) dhe i përziejmë mirë me gjysmë litri ujë të nxehtë pa klor, në një enë qelqi ose porcelani. E mbulojmë enën dhe e lëmë në qetësi 15-20 minuta, pastaj e kullojmë lëngun dhe pimë një fixhan çaji, tre herë në ditë, të ëmbëlsuar me mjalt, ose me sheqer.
Të njëjtin infuz, por pa sheqer, mund ta përdorim edhe për shplarjen e flokëve, ose të plagëve.

- Në formë tinkture 20%, në alkool 70 gradë, marrim 5-15 ml. në ditë.

- Pesë gram pluhur i përfituar nga thërmimi i gjetheve, i përzier me tre lugë gjelle mjalt natyral, përbëjnë një ekspektorant shumë të mirë. Përdoret një lugë gjelle në mëngjes dhe në mbrëmje.

- Për të hequr lodhjen dhe ndjenjën e stresit dhe të presionit nga bota e jashtme, bëhet një banjë në vaskë, në ujin e së cilës hedhim paraprakisht 4-5 duar gjethe sherbeli.
        
- Kundër kollës më rebele dhe kundër katarrit të rrugëve të frymëmarrjes përdorim këtë përgatesë: marrim 100 gr. gjethe sherbeli, 100 gr. sheqer dhe gjysmë litër verë të bardhë rrushi, i hedhim në një enë inoksi ose porcelani dhe i ziejmë për 20 minuta. Pasi përfundon zierja e kullojmë dhe lëngu mjekues është gati për përdorim. Pimë nga një lugë kafeje çdo 2-3 orë.

        - Nëse fërkojmë dhëmbët me gjethe të freskëta sherebele, kanë shumë përfitim, si për zbardhje edhe për forcim.

- Kundër djersitjes në gjumë, përdoret çdo mbrëmje infuzi i përgatitur me një lugë gjelle gjethe sherebele në 150 ml. ujë të valuar. Pihet i ftohtë para fjetjes.

- I njëjti infuz (në këtë rast pihet i nxehtë) shërben për të kuruar edhe çdo sëmundje të gjoksit (ftohje, etj.).

Kujdes!

- ka njerëz që janë alergjikë ndaj sherbelës dhe duhet ta evitojnë atë;
- ata që vuajnë nga epilepsia nuk duhet as të kenë kontakt dhe as të përdorin preparate të sherbelës;
- gratë shtatzëna nuk duhet të përdorin sherbel në asnjë rast;
- nënat me fëmijë  në gji duhet të kenë parasysh që përdorimi i sherbelit ul prodhimin e qumështit;
- përdorimi i brendshëm i vajit esencial të sherbelës nuk duhet të bëhet pa këshillën e mjekut.

- I përdorur në dozat e rekomanduara, sherebela nuk krijon problem nëse merret njëkohësisht me preparate farmaceutike që u nevojiten njerëzve për  probleme të ndryshme shëndetësore.


Bimën dhe vajin esencial të sherebelës i gjeni në dyqanin Bimë Mjekësore, prodhuar nga firma  ''Arbëria''.

Ju mirëpresim vetëm 30 metra mbi Qendrën Stefan (tek pazari i ri), përballë me Eurodenta. 

Orari 12:00 - 19:00.




No comments:

Post a Comment