Thursday, February 4, 2016

Pse është e mirë patatja për shëndetin tonë?


Material i përkthyer nga: Eneada Stavri


Patatja: Zhardhoku i artë
Emri shkencor: Solanum tuberosum

Qoftë pure, e pjekur në furrë, e zier, e gatuar në avull ose e skuqur, patatja është një ushqim bazik në të gjithë botën. Ky zhardhok i rrënjës është pjesëtar i familjes së Solanaceae, tek e cila bëjnë pjesë edhe perime si patëllxhani, specat dhe domatet. Nëse lihet të rritet plotësisht, bima e patates mund të prodhojë një fryt që nuk hahet dhe që ngjan me domaten.
Patatja e ka origjinën nga Amerika e Jugut, veçanërisht në zonën malore të Andeve. U sollën në Evropë nga eksploruesit spanjollë në shek. XVI.  Në shumë udhëtime të tyre, spanjollët përdornin pataten si burim të vitaminës C për të luftuar skorbutin (një sëmundje e cila krijohet kur në trup nuk ka mjaftueshëm vitaminë C). Në ditët e sotme, kjo bimë kultivohet në të gjithë botën dhe është kultivimi i katërt më i madh i botës, me shtetin e Idaho-s si prodhuesit më të mëdhenj. 

Ka rreth 100 lloje patatesh, secila që ndryshon në formë, madhësi, ngjyrë, shije dhe përbërje/vlera ushqyese. Tipat më të njohur kanë lëkurën ngjyrë të bardhë/verdhë dhe ngjyrë të kuqe ose rozë.

Patatet e zakonshme ndryshojnë nga patatet e ëmbla, pavarësisht ngjashmërive të mëdha. Patatet e ëmbla mund të jenë në disa ngjyra, duke përfshirë ngjyrë kremi, të verdha, portokalli, rozë dhe të purpurta. Nga ana tjetër, patatet e zakonshme kanë tul ngjyrë të verdhë të zbehtë ose të bardhë me lëkura ngjyrë kafe, të kuqe ose të verdhë.
Profilet e vlerave ushqyese të tyre ndryshojnë gjithashtu nga njëra-tjetra. Patatet normale janë të pasura me amidon, ndërsa patatet e ëmbla kanë një sasi të madhe fibrash. Shumë e konsiderojnë pataten e ëmbël si alternativën më të shëndetshme, meqë ka nivele më të larta të vlerave ushqyese si vitaminat A dhe C.
Disa varietete patatesh, veçanërisht nëse janë të skuqura, janë si një “mallkim” për shëndetin. Megjithatë, sasitë e moderuara dhe mënyrat e shëndetshme të gatimit mund të maksimizojnë përfitimet e tyre. Për më tepër, patatja e zakonshme gatuhet në shumë mënyra në kuzhinë dhe janë shumë ekonomike, me çmim të leverdishëm. 


Përfitimet shëndetësore nga patatja 

Në ditët e sotme, patatet shiten dhe konsumohen zakonisht në formën e patateve të skuqura me shumë yndyrë ose patate të prera shumë hollë dhe të pjekura në furrë (patatinat). Këto produkte të përpunuara industrialisht janë një burim i yndyrnave të pashëndetshme të njohura si yndyrna trans, i përbërësve të tjerë të përpunuar dhe konservantët kimikë (janë lëndë kimike që u shtohen ushqimeve të përpunuara për t’u përmirësuar shijen dhe cilësinë, si edhe për të shtuar jetëgjatësinë e tyre). Konsumimi i tepërt i patateve të përpunuara mund të çojë në një sërë sëmundjesh dhe problemesh shëndetësore, si mbipesha, probleme me zemrën, përfshi dhe kancerin.  
Duke hequr vajin dhe yndyrnat e pashëndetshme, patatet kanë nivele të ulëta kalorish dhe kanë në përbërjen e tyre fibra dhe disa vlera ushqyese. Në sasi të ekuilibruara, mund të ofrojnë një farë mbrojtjeje ndaj kancerit dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Lëkurat e patateve janë një burim fibrash të tretshme dhe të patretshme, dhe kjo mund të ndihmojë në parandalimin e kapsllëkut dhe uljen e kolesterolit të dëmshëm (LDL). Fibrat e patates mund të ndihmojnë në tretjen dhe përthithjen e sheqernave të thjeshta.
Patatet janë një burim i bollshëm vitaminash të kompleksit B, veçanërisht të vitaminës B6 ose piridoxina, tiamina, niacina, acidi pantotenik dhe  acidi folik. Gjithashtu është një burim i mineraleve si mangani, fosfori, bakri, kaliumi, magnezi, dhe hekuri.
Fitonutrientët me efekte antioksidante, të tilla si  flavonoidet, karotenoidet dhe acidi kafeik, gjithashtu mund të gjenden te patatet. Patatet e kuqe dhe rozë kanë përqendrime të mjaftueshme të vitaminës A, si karoteni dhe zeaxantina.

Tabela e vlerave ushqyese të patates                              Sasia:  299 gramë patate
Karbohidrate
64 gr
Natrium
21 mg
Fibra të tretshme
6 gr
Proteina
6 gr
Sheqer
4 gr


Studimet mbi pataten 

Një studim i realizuar nga shkencëtarë të Institutit të Hetimit të Ushqimeve zbuloi se patatet ofrojnë përbërës të quajtur kukoamine, që ndihmojnë në uljen e presionit arterial. Më parë, kjo besohej e gjendej vetëm te një bimë ekzotike kineze e quajtur Lycium chinense, që përdoret në infuzionet kineze të mjekësisë popullore. Kërkuesit e kësaj fushe treguan se si patatja ashtu edhe Lycium chinense i përkasin së njëjtës familje bimësh, dhe po këta përbërës me veti pozitive për shëndetin u gjendën edhe te domatet.

Receta të shëndetshme me patate: Frittata me kërpudha dhe brokoli

Përbërësit:

6 vezë
2 filxhanë brokoli ose lulelakër, të ziera në avull dhe të grira  
4 patate mesatare, të ziera në avull dhe të grira  
1 qepë e vogël, e grirë
6 kërpudha mesatare, të prera në feta
1 lugë gjelle vaj ulliri
1 filxhan djathë i grirë (sipas zgjedhjes suaj)

Përgatitja:

Zieni në avull patatet dhe brokolin / lulelakrën. Lërini mënjanë.
Skuqni për pak minuta dhe me pak vaj qepët dhe kërpudhat. Lërini mënjanë.
Rrihni vezët dhe përziejini mirë në një tas të madh me patatet, brokolin, qepën dhe kërpudhat. Hidhini në një tigan skuqjeje.
Gatuajini në zjarr të ulët – mesatar për 15 minuta derisa frittata të jetë gati, por pak e qullët në mes.  
Hidhni sipër djathin e grirë dhe vendoseni grilën e sobës derisa djathi të marrë ngjyrë kafe të lehtë. Lëreni të ftohet pak dhe shërbejeni.

Patatet e ziera në avull dhe të pjekura në furrë (me gjithë lëkurë), janë varjantet më të shëndetshme.

Një patate e pjekur çliron 22 loj amino acidesh esenciale për shëndetin tonë, por këtë fakt nuk e përmend askush.


Të dhëna të tjera interesante për pataten


Duke u kthyer pas në fundin e viteve 1800, patatet ishin aq të vlefshme sa edhe vetë ari për shkak se përmbanin vitaminën C. Megjithatë, gjatë viteve 1500, eksploruesit spanjollë nuk arritën ta mësonin këtë dhe u përqendruan në kërkimin e arit dhe argjendit kur arritën në Amerikën Jugore. Patatet u përdorën si racione bazike për pushtesit, dhe si ushqim për bagëtinë. Në 1899, gjatë “etheve të gjetjes së arit” minatorët filluan të vinin re vlerën ushqyese të patates dhe i shkëmbyen  arin për t’i blerë ato.

Në tetor 1995, patatja e bardhë u shndërrua në bimën e parë të kultivuar jashtë hapësirës tokësore. Ky ishte një projekt i NASA dhe i Universitetit të Wisconsin, Madison. Invetiguesit gjetën teknologjinë për të ushqyer astronautët nëpër udhëtimet e tyre të gjata në hapësirë, me shpresën se do ta bëjë këtë gjë edhe me kolonitë hapsinore të së ardhmes.


 Përmbledhje

Në kohën e pushtuesve spanjollë, patatet ishin të preferuara për vlerat e tyre ushqyese, për mënyrat e shumta të përgatitjes në kuzhinë dhe për çmimin e ulët të tyre.
Këta zhardhokë vijnë nga një varietet formash, madhësish, ngjyrash dhe shijesh. 
Patatet janë të pasura me vitaminat A dhe C dhe vitaminat e kompleksit B, si edhe disa lloje  mineralesh. Disa varietete përfshijnë edhe fitonutrientë që kanë veti antioksidante.
Edhe pse japin një sërë përfitimesh, patatet duhet të konsumohen në sasi të moderuara, sepse janë të pasura me amidon. 

Patatet e përpunuara, si ato të skuqura dhe patatet e pjekura sipas mënyrës franceze, duhen shmangur, meqë përmbajnë yndyrna jo të shëndetshme dhe përbërës sintetikë që mund të dëmtojnë shëndetin tuaj.